Secondary Adv

BSH: Nafta dhe ushqimet po shtrenjtohen, inflacioni rrezikon të rritet në Shqipëri

Banka e Shqipërisë paralajmëron presione të reja inflacioniste nga rritja e çmimeve ndërkombëtare të naftës dhe ushqimeve, ndërsa inflacioni mund të kalojë objektivin prej 3 për qind deri në fillim të vitit 2027.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve në tregjet ndërkombëtare, përshkallëzimi i konflikteve gjeopolitike dhe shtrëngimi i politikave monetare nga bankat kryesore qendrore po shtojnë pasigurinë për ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë paralajmëron se këto zhvillime mund të krijojnë presione të reja mbi inflacionin, kostot e financimit dhe aktivitetin ekonomik.


Në Raportin Tremujor të Politikës Monetare 2026/IV, Banka e Shqipërisë evidenton se ekonomia botërore ka shënuar ritme më të larta rritjeje gjatë tremujorit të dytë të vitit, por kjo ecuri është shoqëruar me forcimin e presioneve inflacioniste në tremujorin e tretë.


Sipas raportit, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe vijimi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës kanë ndikuar në çmimet e energjisë, lëndëve të para dhe produkteve ushqimore, duke rritur kostot për ekonomitë importuese, përfshirë Shqipërinë.


Nafta Brent arrin në 97 dollarë për fuçi, lëndët bazë shtrenjtohen me 30 për qind


Një nga zhvillimet kryesore të evidentuara nga Banka e Shqipërisë është rritja e fortë e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, indeksi i çmimeve të lëndëve bazë u rrit mesatarisht me 30 për qind në terma vjetorë. Vetëm në shtator, ritmi i rritjes së këtij indeksi arriti në 47.8 për qind, duke reflektuar përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.


Çmimi i naftës Brent u kuotua mesatarisht në 97 dollarë për fuçi gjatë tremujorit të tretë, me një rritje prej 40.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo pasoi rritjen prej 54 për qind të regjistruar në tremujorin e dytë.


Banka e Shqipërisë vëren se tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtuar pasigurinë për furnizimin global me naftë, veçanërisht për shkak të vështirësive në përdorimin e rrugëve alternative të transportit për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit.


Për Shqipërinë, e cila ka varësi të konsiderueshme nga importet e karburanteve, shtrenjtimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mund të rrisë kostot e transportit, prodhimit dhe shpërndarjes së mallrave, duke ushtruar presion mbi çmimet e konsumit.


Ushqimet shtrenjtohen me 12.4 për qind, ndikim nga lufta Rusi-Ukrainë


Presionet inflacioniste në tregjet ndërkombëtare nuk janë kufizuar vetëm te energjia. Sipas raportit, indeksi ndërkombëtar i çmimeve të ushqimeve u rrit me 12.4 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, nga rreth 10 për qind në tremujorin paraardhës.


Një ndikim të rëndësishëm ka pasur shtrenjtimi i drithërave, si pasojë e intensifikimit të konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, dy prej eksportuesve kryesorë botërorë të këtyre produkteve.


Pengesat në transportin detar përmes Detit të Zi kanë ndikuar në ofertën ndërkombëtare dhe në rritjen e çmimeve. Për Shqipërinë, këto zhvillime mund të përcillen në çmimet e bukës, miellit dhe produkteve të përpunuara, si edhe në kostot e industrisë ushqimore.


Inflacioni në Eurozonë arrin në 3.8 për qind, rritje edhe në Itali dhe Greqi


Rritja e çmimeve ndërkombëtare është reflektuar edhe në ekonomitë kryesore partnere tregtare të Shqipërisë.


Në Eurozonë, inflacioni arriti në 3.8 për qind në shtator 2026, nga një mesatare prej 3.1 për qind gjatë korrikut dhe gushtit. Në Shtetet e Bashkuara, inflacioni u përshpejtua në 3.7 për qind, nga mesatarja prej 3.4 për qind në dy muajt e mëparshëm.


Në Itali, inflacioni arriti në 4.1 për qind në shtator, nga 3.2 për qind në gusht. Në Greqi, ai u rrit në 5.1 për qind, nga 3.7 për qind në gusht dhe 2.7 për qind në korrik.


Sipas Bankës së Shqipërisë, shtrenjtimi i energjisë ka qenë një nga faktorët përcaktues të rritjes së inflacionit në këto ekonomi.


Për Shqipërinë, çmimet më të larta në vendet partnere mund të rrisin kostot e mallrave të importuara. Njëkohësisht, dobësimi i mundshëm i fuqisë blerëse dhe i aktivitetit ekonomik në këto vende mund të ndikojë negativisht kërkesën për eksportet shqiptare.


BQE dhe FED rrisin normat e interesit, financimi bëhet më i kushtueshëm


Forcimi i presioneve inflacioniste është shoqëruar edhe me shtrëngimin e politikave monetare nga bankat kryesore qendrore.


Në shtator 2026, Banka Qendrore Evropiane rriti me 0.25 pikë përqindjeje tri normat kryesore të interesit, duke i çuar përkatësisht në 2.50 për qind, 2.65 për qind dhe 2.90 për qind.


Në të njëjtën periudhë, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara (FED) rriti me 0.25 pikë përqindjeje intervalin e normës bazë të interesit, duke e çuar në 3.75–4.00 për qind. Sipas raportit, kjo ishte rritja e parë e normës bazë nga FED që prej vitit 2023.


Shtrëngimi i politikave monetare është shoqëruar me rritjen e yield-eve të obligacioneve qeveritare në tregjet ndërkombëtare. Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar janë ngjitur mbi nivelin 5 për qind, ndërsa rritje janë regjistruar edhe në tregjet evropiane.


Në Eurozonë, diferencat e yield-eve të obligacioneve qeveritare kundrejt atyre gjermane janë zgjeruar, veçanërisht në Francë, ku kanë ndikuar pasiguria politike dhe shqetësimet për financat publike.


Këto zhvillime krijojnë një mjedis ndërkombëtar financimi më të kushtueshëm, i cili mund të ndikojë edhe ekonominë shqiptare përmes kostove të huamarrjes në tregjet e huaja dhe kushteve të financimit në euro.


Inflacioni në Shqipëri arrin mesatarisht në 3.2 për qind


Pavarësisht presioneve të jashtme, inflacioni në Shqipëri ka mbetur pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind.


Sipas raportit, inflacioni mesatar arriti në 3.2 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, nga 3 për qind në tremujorin e dytë. Megjithatë, ecuria mujore ka treguar ngadalësim, pasi inflacioni zbriti nga 3.4 për qind në korrik në 2.9 për qind në shtator.


Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e inflacionit gjatë vitit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i naftës dhe ushqimeve të papërpunuara.

Nga ana tjetër, ngadalësimi i rritjes së qirave ka ndihmuar në zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste, ndërsa inflacioni bazë zbriti në 2.8 për qind gjatë tremujorit të tretë.


Një faktor tjetër që ka kufizuar ndikimin e shtrenjtimit ndërkombëtar në ekonominë shqiptare ka qenë mbiçmimi i lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i monedhës vendase ka amortizuar pjesërisht transmetimin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare në tregun shqiptar, megjithëse nuk e ka eliminuar plotësisht ndikimin e shtrenjtimit të energjisë dhe ushqimeve.


BSH: Inflacioni mund të kalojë objektivin deri në fillim të vitit 2027


Perspektiva e inflacionit për muajt në vijim mbetet e kushtëzuar nga zhvillimet ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rritet disi mbi objektivin prej 3 për qind në afatin e shkurtër, deri në fillim të vitit 2027.


Ky parashikim lidhet me çmimet më të larta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe me rritjen e inflacionit në vendet partnere tregtare.

Në vijim, inflacioni pritet të konvergojë gradualisht drejt objektivit, i mbështetur nga normalizimi i pritshëm i çmimeve të energjisë dhe i zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.


Megjithatë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se zgjatja ose përshkallëzimi i konflikteve gjeopolitike mund të ndryshojë këtë perspektivë. Rritja e mëtejshme e çmimeve të energjisë dhe ndërprerjet e mundshme të furnizimit do të ushtronin presione shtesë mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e konsumit.


Njëkohësisht, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vendet partnere mund të dobësojë kërkesën e huaj dhe të ndikojë negativisht eksportet shqiptare.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat